Gonxhja: Përmirësim i aksesit në financë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Këshillin e Investimeve për prezantimin mbi “Aksesin në Financë për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) dhe Rekomandime për Përmirësimin e Instrumenteve të Financimit”, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen këto ndërmarrje në Shqipëri.
Sipas ministrit seanca u përqendrua tek rëndësia e aksesit në financë për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri Gonxhja nënvizon se gjatë diskutimeve u theksuan nisma për zhvillimin e kuadrit rregullator për krijimin e Byrove Private të Kredive.
Po ashtu, bën me dije ministri Gonxhja, u diskutua edhe për vështirësitë në sigurimin e financimeve për NMVM-të, përfshirë kriteret e larta dhe procedurat burokratike.
Një tjetër pikë që është theksuar gjatë diskutimeve, sipas ministrit ishte edhe nevoja për përmirësimin e njohurive financiare në sektorin privat si dhe potenciali i digjitalizimit dhe për të përshpejtuar proceset bankare dhe vlerësimin e kredive.
“U ndanë gjithashtu rekomandime për përmirësimin e skemave të garantimit të kredive dhe mbështetjen për bizneset e drejtuara nga gratë, duke nxitur një klimë më të barabartë dhe të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik”, përfundoi Gonxhja. /j.p/