Gonxhja: Plan i ri për rijetësimin e zonave historike në Shkodër

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci vizituan sot lagjen Gjuhadol, ku ndodhen një sërë objektesh me vlera historike dhe kulturore, të cilat pritet të rijetësohen, duke u kthyer në identitet.
Gonxhja tha se bashkë me kryebashkiakun Beci do të çojnë përpara një plan të mirëstrukturuar ndërhyrjesh në zonat dhe qendrat historike.
“Synimi është jo vetëm ruajtja, por edhe rijetësimi i objekteve me vlera të veçanta kulturore e arkitekturore. Ky proces kërkon angazhim të përbashkët mes pushtetit vendor, qeverisë qendrore dhe vetë komunitetit, për të garantuar ndërhyrje të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë”, theksoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se po punohet për të krijuar modele bashkëpunimi që mundësojnë rikthimin e këtyre objekteve në identitetin e tyre të plotë, duke i integruar në jetën ekonomike, kulturore dhe turistike të qytetit.
“Synimi është që përmes këtij procesi Shkodra të forcojë rolin e saj si një nga qendrat kryesore të trashëgimisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vend, duke i dhënë një dimension të ri potencialit të saj historik dhe kulturor”, tha Gonxhja.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “lagjja Gjuhadol është një nga zonat më të frekuentuara e cila thyen rekord në Shkodër, por edhe në rang kombëtar, janë rreth 2,5 milionë turistë që kalojnë në vit në këtë zonë. Por është e domosdoshme bashkë me Ministrinë ta kthejmë këtë zonë, të dëmtuar deri diku, në destinacionin dhe vlerën që i takon të ketë. Gjuhadoli është një nga rrugicat më të bukura, është krenari për Shkodrën”.
“Kjo lagje ka vlera të mëdha historike dhe kulturore është e gjitha e projektuar nga Kolë Idromeno”, tha Beci.
/k.s/r.e/a.f/