Gonxhja: Turizmi i qëndrueshëm, kultura dhe sporti në fokus të prioriteteve 2026

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të strukturave në varësi të MTKS-së ku diskutuan për prioritetet strategjike për 2026.
Gjatë takimit fokus të veçantë iu kushtua objektivave dhe ndërtimit të politikave sektoriale të qëndrueshme 2026-2030.
Gjatë fjalës së tij, Gonxhja theksoi se zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, përmirësimi i menaxhimit të sezonit turistik veror, frekuentimi gjithëvjetor i destinacioneve tona, rritja e cilësisë së shërbimeve të mikpritjes dhe strukturave të akomodimit, si dhe garantimi i një eksperience konkurruese dhe cilësore për vizitorët, promovimi digjital dhe formalizimi, janë ndër prioritetet kryesore të kësaj fushe jetike për ekonominë shqiptare.
Po ashtu, në portofolin e kulturës vëmendja u përqendrua te mbështetja e artistëve dhe profesionistëve të kulturës, pasurimi i kalendarit kulturor, ndjekja e ecurisë së kantiereve kulturore, proceset e rijetëzimit, konservimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, risitë ligjore e reformimi institucional, si dhe fuqizimi i industrisë dhe ekonomisë kreative.
Sipas ministrit Gonxhja, sporti mbetet një prioritet i rëndësishëm.
“Zhvillimi i sportit elitar dhe sjellja e eventeve sportive ndërkombëtare në Shqipëri, si instrument për promovimin e vendit, rritjen e turizmit sportiv dhe forcimin e imazhit ndërkombëtar janë ndër prioritet kryesore në këtë fushë”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “koordinimi i skuadrës së re të MTKS, ndjekja prioritare e vizionit të qeverisë, ecuria ndërinstitucionale, mes ndarjes së qartë të përgjegjësive e afateve, garanton angazhim e ritëm maksimal për zbatim cilësor të synimeve, mirëqeverisjes, rritjes së vlerës ekonomike dhe forcimit të misionit për identitet kulturor, rini aktive e zhvillim”.
Për këtë vit MTKS ka një buxhet prej 7.4 mld lekë, ku kultura ka pjesën më të madhe me 4.95 mld lekë, turizmi 919 milionë lekë dhe sporti 834.6 milionë lekë.
Ky buxhet paraqet një vizion të qartë për forcimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe rritjen e kapaciteteve krijuese e sportive në vend.
/k.s/j.p/