E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja: Xhuljana, shembull i suksesit në Arsimin Profesional Dual

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Arsimi profesional po kthehet gjithnjë e më shumë në një zgjedhje të preferuar për të rinjtë që synojnë integrimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm në tregun e punës.

Me programe që kombinojnë teorinë me praktikën dhe bashkëpunime të drejtpërdrejta me bizneset, ky model arsimor po ofron aftësi konkrete dhe mundësi punësimi që në fazat e hershme të shkollimit.

Politikat mbështetëse dhe historitë e suksesit të nxënësve po e bëjnë arsimin profesional një rrugë të besueshme drejt karrierës, veçanërisht në sektorë si kuzhina, teknologjia, bujqësia dhe mekanika.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale historinë e Xhuljanës, një nxënëse që ka zgjedhur të ndjekë Arsimin Profesional Dual në profilin kuzhinë. Ajo është bërë tashmë pjesë e një modeli arsimor ku teoria dhe praktika bashkëjetojnë në mënyrë të balancuar, duke ndërtuar rrugën e saj drejt një karriere të sigurt.

Xhuljana tregon se aktualisht është duke zhvilluar praktikën e saj profesionale në një nga kuzhinat më të njohura të qytetit, nën mbikëqyrjen e Nikos, një shef kuzhine me përvojë, i cili e mbështet në çdo hap nga teknikat bazë, deri te recetat më të ndërlikuara.

“E veçanta e këtij modeli është se Xhuljana paguhet gjatë kohës që praktikon, ndërkohë që fiton aftësi konkrete, të kërkuara nga tregu i punës. Ky është thelbi i arsimit profesional dual: përgatitje reale, jo vetëm teorike”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja bëri thirrje të drejtpërdrejtë për të rinjtë që përmbyllën klasën e 9-të, që të zgjedhin arsimin profesional. “Regjistrohu në klasën e 10-të përmes portalit e-Albania dhe fillo udhëtimin tënd drejt suksesit”, shkroi Gonxhja.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›