Gonxhja për ATSH: Drejt një epoke të re për kinemanë dhe filmin

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha sot gjatë një konference për shtyp se Programi i Rijetësimit të Kullave, gjendet në fazën e parë të vlerësimit.
“Padurimi është i madh, se këto janë objekte që në vetvete janë të rrezikuara dhe presin ndërhyrje të shpejtë. Por një skanim i plotë i të gjitha tipareve, aspekteve, nga pikëpamje ndërtimore dhe e vendndodhjes, marrëdhënia me objektet e tjera etj, është parësore. Sa më mirë të mbyllet kjo fazë aq më mirë do të jetë e preventivuar, e planifikuar pjesa e ndërhyrjeve”, tha ministri Gonxhja.
Ai bëri të ditur se ky program ka ngjallur shumë interes, që ka bërë që MTKS të lobojë për të shtuar numrat e kullave që katalogohen dhe inventarizohen për këtë projekt që përfshin qarqet veri-verilindje.
“Sa më serioze të jetë kjo fazë, aq më e suksesshme do të jetë faza e dytë”, u shpreh Gonxhja.
Ministri Gonxhja shpjegoi se, Shqipëria ka detyrimin të aplikojë me sukses në këto fonde sepse ne paguajmë tarifë vjetore për të qenë të pranueshëm për këto fonde siç është Creative Europe (Evropa Krijuese).
“Kemi punuar me gjetjen e personave sa më të aftë për të bërë këtë punë dhe nga ana tjetër kemi kërkuar ndihmën e SASPAC, sepse është shumë problematike të dish të shkruash projekte në gjuhën me të cilën Evropa sot mendon dhe punon”, tha ministri, sipas të cilit fondet nuk mungojnë për të ndërhyrë në traditë, zhvillim të qendrueshëm, rijetësim, etj.
Ministri theksoi faktin se për rijetësimin e kullave do të punohet në mënyrë të qendërzuar. Sepse një nga problemet kryesore që u vu re kur rijetësimi u bë nga vetë banorët, ishte humbja e cilësisë. Punimet në të shkuarën nuk u bënë si duhet dhe sot MTKS po përballet edhe me kthim fondesh.
Në lidhje me Ligjin për Kinemanë, ministri Gonxhja tha se janë bërë të gjitha dëgjesat e nevojshme me komunitetin dhe është rënë dakord për amendimet. Vetë natyra e agjencisë së re që do të krijohet duhet të dalë me një status dhe mënyrë funksionimi krejt të re pasi QKK aktualisht është shumë e kufizuar. Ministri tha se së shpejti do të kalohet nga QKK në konceptin e një agjencie që do të jetë shumë më e zhdërvjelltë sa i takon sektorit.
Ministri tha se mjedisi është i hapur dhe po gëlon nga profesionistë të industrisë së filmit. Së shpejti MTKS do të publikojë marrëveshjen e Qendrës së Kinematografisë së Francës me QKK të Shqipërisë, për filmin dhe më shumë financime.
“Gjithashtu është në projekt një zonë e lirë ekonomike e industrisë kreative prandaj theksi është që agjencia të drejtohet tek industria kreative sepse në rast se nuk do ketë mundësi lobimi për incentive që prekin gjithë vendin, mund t’i adrejsojmë ato në territore të kontrolluara ku mund të kemi studio për prodhim”, tha kreu i MTKS-së, i cili më pas theksoi se, nëse ne do të arrijmë të kapim fonde të cilat deri sot nuk na e merrte mendja se do t’i kishim, atëherë do të jetë një epokë krejt tjetër edhe për kinemanë e filmin.
Ministri Gonxhja. Fotografite Andrin Hoxha 1 nga 3 1 nga 4/r.e/