E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonzato: Muzeu Arkeologjik i Durrësit shembull i partneritetit BE-Shqipëri për kulturën

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian të Shqipërisë, Silvio Gonzato u shpreh sot se rihapja e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, falë programit E4Culture, shënjon një moment partneriteti për ripërtëritjen ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së rihapjes së këtij muzeu, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja dhe përfaqësues të tjerë të BE-së, ambasadori Gonzato nënvizoi se “ky muze është restauruar plotësisht falë programit EU4Culture, BE për kulturën”.

“Solidariteti është një parim themelor i BE-së. Ky program nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve, por edhe për të ndihmuar në rigjallërimin e peizazhit kulturor të Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019”, tha ai.

“Unë besoj se rezultatet që kemi arritur së bashku kanë qenë të jashtëzakonshme. Në mbarë vendin kemi restauruar dhe rihapur objekte të trashëgimisë kulturore, kemi rigjallëruar pika turistike, kemi përfshirë komunitetet lokale dhe kemi mbështetur artistët. Sot, e mbyllim ciklin dhe jemi aty ku e kemi filluar, në vendin ku është prezantuar programi EU4Culture, që është Muzeu Arkeologjik i Durrësit”, theksoi Gonzato.

Sipas Gonzatos, rihapja e Muzeut Arkeologjik të Durrësit është një moment kremtimi i partneritetit për përtëritjen ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Gonzato tha se “EU4Culture është një vend ku luan rol BE-ja, sepse kultura është e rëndësishme për të krijuar një identitet evropian”.

“Durrësi është dëshmitar i kësaj historie evropiane me shumë shtresa. Një qytet ku kanë bashkëjetuar shtresat e historisë ilire, romake, bizantine, osmane dhe veneciane. Ky muze nuk është thjesht një grumbullim artefaktesh, por një hapësirë e gjallë për të mësuar për këtë identitet shtresor dhe për të ngritur ura mes këtyre identiteteve”, nënvizoi Gonzato, ndërsa shtoi se sot ka një model konservimi dhe inovacioni digjital, me objekte të ekspozuara sipas standardeve, me eksponate interaktive, etj.

“Jemi përqendruar në rritjen e kapaciteteve dhe në fuqizimin e institucioneve, për të siguruar që sektori kulturor i Shqipërisë të jetë më se i gjallë. Shqipëria vijon të ecë para në rrugën drejt BE-së, por kultura do të vijojë të jetë thelbësore, sepse krijon një identitet të përbashkët evropian, krijon vende pune dhe punësim. Kur trashëgimia bashkohet me artet bashkëkohore dhe sektorët kreativë, ajo ecën përpara”, përfundoi Gonzato.

Koordinatorja Rezidente e OKB-së në Shqipëri, znj. Ingrid Macdonald, u shpreh: “si Kombet e Bashkuara në Shqipëri, jemi krenarë që mbështesim restaurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përmes programit EU4Culture — një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë dhe qëndrueshmërisë së pasur të Shqipërisë. Gjatë pesë viteve të fundit, EU4Culture, një partneritet ambicioz midis Bashkimit Evropian, Qeverisë së Shqipërisë dhe UNOPS, ka restauruar 23 objekte të trashëgimisë, ka krijuar mbi 64,000 ditë pune dhe ka angazhuar më shumë se 12,000 njerëz, shumë prej të cilëve përmes iniciativave të udhëhequra nga gratë. Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të gjenerojë përfitime të qëndrueshme kulturore, ekonomike dhe sociale për Durrësin dhe më gjerë. Ky investim nuk është vetëm në trashëgiminë kulturore, por edhe në mirëqenien dhe prosperitetin e njerëzve dhe komuniteteve”.

Ndërhyrja në Muzeun Arkeologjik të Durrësit përfshiu rehabilitimin e plotë strukturor, riparimin e dëmeve nga tërmeti, përmirësimin e aksesit për vizitorët dhe krijimin e një ekspozimi dhe narrative muzeale të përmirësuar. Muzeu, më i madhi arkeologjik në Shqipëri, strehon mbi 2,800 artefakte nga gërmimet në dhe rreth qytetit antik të Dyrrahut.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një ndërhyrje në kuadër të programit EU4Culture, një investim prej 40 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, që përbën investimin më të madh të BE-së në trashëgiminë kulturore në Ballkanin Perëndimor. Programi mbështet restaurimin dhe rigjallërimin e 23 objekteve të trashëgimisë në të gjithë Shqipërinë.

Programi ka mbështetur gjithashtu zhvillimin e komuniteteve dhe angazhimin kulturor, duke përfshirë mbi 12,000 persona përmes granteve dhe iniciativave që promovojnë si trashëgiminë materiale, ashtu edhe atë jomateriale, përfshirë zejet, traditat, muzikën, kulinarinë dhe njohuritë vendore.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›