E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grabitet ujësjellësi në Vlorë/ Mbeten pa ujë banorët në disa zona të qytetit

Një grabitje e ndodhur gjatë mesnatës së kaluar në stacionin e ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, pranë Stacionit të Trenit të Mallrave në Vlorë, ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona të qytetit. 

Sipas njoftimit, vjedhja e  saracineskës së stacionit, ka bërë të pamundur funksionimin normal të rrjetit të shpërndarjes duke lënë pa ujë lagjen “24 Maji”, zonën e Petroliferës,  zonën e TEC-it, Portin e Peshkimit dhe Zvërnecin.  

Menjëherë pas konstatimit të rastit, grupet teknike të Ujësjellës Kanalizime të Vlorës kanë ndërhyrë për zëvendësimin e pajisjes së vjedhur dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë. 

Për ngjarjen është bërë edhe një denoncim në Policinë e Qarkut Vlorë, e cila ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të vjedhjes. 

Autoritetet bëjnë thirrje që të mbrohet prona publike, duke theksuar se dëmtimi i infrastrukturës së ujësjellësit sjell pasoja direkte për furnizimin e komunitetit me ujë. 

Njoftimi i plotë: 

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton se gjatë mesnatës së kaluar është grabitur saracineska e stacionit të ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, zona pranë Stacionit të Trenit të Mallrave. Si pasojë, ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë në zonat që furnizohen nga ky stacion:
 Lagja 24 Maji (zona e Stacionit të Trenit të Mallrave)
 Petrolifera
 TECI
 Porti i Peshkimit
 Zvërnec 

Grupet tona kanë ndërhyrë menjëherë pas konstatimit të rastit për zëvendësimin e saracineskës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë. 

Për këtë ngjarje është bërë denoncim pranë Policisë së Qarkut Vlorë. 

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mbrojnë pronën publike dhe të mos e dëmtojnë atë, pasi këto veprime dëmtojnë gjithë komunitetin.
Faleminderit për mirëkuptimin!” 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›