Grabitje spektakolare në Dubai- Duke u paraqitur si tregtarë të pasur, hajdutët vjedhin një diamant 25 milionë dollarësh

Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Dubai, ku një diamant rozë me vlerë rreth 25 milionë dollarë u vodh gjatë një grabitjeje të planifikuar me kujdes.
Me një plan të menduar deri në detaj dhe një skenar që ngjason me filmat e Hollivudit, tre hajdutë arritën të mashtrojnë një shitës diamantesh në Dubai dhe të vjedhin një gur të rrallë rozë, me vlerë rreth 25 milionë dollarë.
Të paraqitur si biznesmenë të pasur, ata përdorën makina luksoze, organizuan takime në hotele prestigjioze dhe sollën një “ekspert diamanti” për të fituar besimin e viktimës.
Ata e bindën viktimën të paraqitej në një vilë private për një takim të rremë me një blerës, ku në vend të një marrëveshjeje, u krye grabitja.
Policia e Dubait reagoi menjëherë, duke i ndjekur dhe kapur të tre të dyshuarit dhe duke gjetur diamantin përpara se të nxirrej kontrabandë jashtë Emirateve. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse banda ishte pjesë e një rrjeti kriminal më të gjerë ndërkombëtar.
Diamanti i grabitur është një gur rozë 21.25 karatësh, një nga më të rrallët në botë për nga qartësia dhe cilësitë optike, duke e bërë atë jashtëzakonisht të dëshiruar për koleksionistët dhe tregun e luksit.
/rtsh.al/