E Premte, 6 Nëntor 2026

Gratë sipërmarrëse, kontribut në zhvillimin e sektorit të biznesit

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ 40 gra sipërmarrëse u bënë bashkë në panairin e çelur në Tiranë për të prezantuar produktet dhe shërbimet e tyre, duke dëshmuar se aty ku gratë drejtojnë, gjëra të mrekullueshme mund të arrihen.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se gratë me pasionin dhe angazhimin e tyre po kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të biznesit.

Sipas ministres Ibrahimaj, ky është një hap i rëndësishëm për të inkurajuar edhe më shumë gra nga e gjithë Shqipëria që të ndjekin shembujt e tyre dhe të angazhohen në krijimin e bizneseve të suksesshme.

“Ne, si qeveri, jemi të angazhuar për të ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe për të krijuar mundësi të barabarta për gratë në të gjitha sektorët. Shpresoj që në edicionet e ardhshme të kemi gjithnjë e më shumë gra nga çdo rajon i Shqipërisë, duke pasur mundësi të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në një ekonomi të qëndrueshme dhe të barabartë”, vuri në dukje ajo.

Ky event është organizuar nga Un Women Albania në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe me mbështetjen financiare të qeverisë suedeze dhe ambasadës britanike në Tiranë.

Gratë po fitojnë terren gradualisht në fushën e biznesit. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2023, 31.2 për qind e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në Shqipëri drejtohen nga gratë.

Nëse do ti kategorizojmë sipas numri të të punësuarve, ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar.

Aktivitetet “Tregti” dhe “Shërbime të tjera” shënon pjesëmarrjen më të lartë të grave në vendimmarrje.

Megjithatë edhe në sektorë të tjerë kanë hapësire të konsiderueshme, siç është “akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, apo “informacioni dhe komunikacioni”. Industria, ndërtimi kanë përfaqësim më të ulët. /j.p/

1 nga 6

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›