E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grenell sulmon Albin Kurtin: Delirant! Marrëdhëniet me SHBA janë më të ulëta se kurrë

I Dërguari i SHBA-së për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka reaguar sërish ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka përgënjeshtruar deklaratat e shefit të qeverisë së Kosovës, duke theksuar se raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit nuk kanë qenë kurrë më keq se kaq.

“Delirant. Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA-së, Anthony Blinken etj.”, shkroi Grenell.

Përplasja e fundit mes Grenellit dhe Kurtit nisi disa ditë më parë, kur emisari amerikan e cilësoi qeverinë Kurti si të “pabesueshme” gjatë administratave Trump dhe Biden.

Ai gjithashtu deklaroi se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë, për shkak të politikave të qeverisë Kurti.

Por, shefi i qeverisë së Kosovës i hodhi poshtë këto pretendime, duke përmendur blerjen e helikopterëve Black Hawk dhe sistemit anti-tank Javelin, si dhe grantin më të madh të dhënë nga SHBA gjatë qeverisjes së tij.

Përplasjet mes Grenellit dhe Kurtit janë intensifikuar pas rikthimit të Donald Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Më 22 janar, i dërguari amerikan reagoi ndaj deklaratës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se vendi i tij ka pësuar disavantazh në raport me Serbinë gjatë administratës Biden.

Përmes një postimi, Grenell e pyeti se përse qeveria e Kosovës nuk e ka ngritur më herët këtë shqetësim.

Këto përplasje në distancë mes Grenellit dhe Kurtit ndodhin vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›