E Hënë, 2 Nëntor 2026

Greqia nderon Janullatos, homazhe dhe në Shqipëri! Mitsotakis vjen të enjten në Tiranë, do të marrë pjesë në varrim

Një ditë pas ndarjes nga jeta të  kryepeshkopit Anastas Janullatos janë mbajtur homazhe në Mitropoline e Shenjtë të Athinës.

Të pranishëm ishin Presidentja e Greqisë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Kryetari i Kuvendit zyrtare te larte të shtetit dhe përfaqësues të kishës  Ortodokse nga Greqia por edhe nga Shqipëria.

Liturgjia Hyjnore u kryesua nga nënkryetari i Sinodit të Shenjtë. Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, mbajti një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.

Trupi primatit të bekuar do të qëndrojë për nderim publik në Athinë deri mëngjesin e të hënës dhe më pas do të transferohet drejt Tiranës. Edhe në Shqipëri do të mbahen po ashtu homazhe, të cilat në shumë qytete të vendit kanë nisur që prej ditës së shtunë.

Në Korçë në katedralen e qytetit besimtarët e nisën meshën me nderime për Janullatosin. Ceremonia ka qenë e përshkuar nga lutje dhe himne kishtare për shpirtin e Kryepeshkopit.

Dhjetëra besimtarë janë lutur këtë të diel perpara fotos së kryepeshkopit Anastas në meshën e mbajtur në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Mesha e të dielës ka qenë njëherazi dhe një homazh për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit.

Homazhe janë mbajtur po ashtu në Katedralen “Shën Dhimitri” në Berat, dhe në Kishën e “Shën Kollit”  në Elbasan ku besimtarët kane ndezur qirinj.

Në vendin tonë pritja e trupit të Kryepeshkopit do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 28 janar në orën 16:00.

Homazhet do të mbahen gjatë pasdites se te martës dhe të mërkurën. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, pas Liturgjisë Hyjnore ndërsa varrimi do të bëhet nën Hapin e Shenjtë të Katedrales, në një kriptë të veçantë që kishte përgatitur vetë Anastasi.  Ne cermonine e te enjtes pritet te marre pjese edhe kryeministri i Greqise Kiriakos Mitsotakis.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare në një spital në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›