Gripi prek kulmin/ ISHP: Mbi 18 mijë persona të infektuar në javë

Gripi është përhapur në të gjithë vendin dhe është në kulm të qarkullimit të tij. Prej mesit të janarit të prekurit janë rritur ndjeshëm duke shtuar fluksin e pacientëve në spitale e qendra shëndetësore. Sipas Institutit të Shëndetit Publik vetëm javën e fundit rreth 18 500 persona me infeksione në rrugët e frymëmarrjes kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Më i shprehur është në qytetet e mëdha, që kanë dhe numër më të madh të popullatës, Tirana, Shkodra, Kukësi, Durrësi, Fieri. Aktualisht jemi ne kulmin e qarkullimit që parashikohet dhe javën e parë të shkurtit dhe me pas pritet një rënie graduale e numrit të rasteve.”
Virusi që po dominon është ai i tipit A. Instituti i Shëndetit publik konfirmon praninë e nëntipit K që po qarkullon dhe në Europë dhe shfaqet më agresiv.
“Qarkullon virusi i tipit A të gripit me dy nëntipet e tij AH1 dhe AH3, por me mbizotërim të ah3 që gjithashtu mbizotëron dhe në të gjithë kontinentin Europian. Nëntipi ah3 paraqet një klinikë më të ashpër sesa nëntipi AH1. Dallimi i gripit nga këto virozat e tjera është temperaturë e lartë që reziston për tre deri në 1 javë, 38 gradë dhe më tepër. Janë shenja të përgjithshme si skuqje, lotim, syshë rrjedhje hundësh, kollë dhe dhimbje e theksuar muskulare. Gripi është një sëmundje që kërkon regjim shtrati.”
Të prekur janë të gjitha moshat ndërkohë nuk kanë munguar rastet e rënda dhe shtrimet në spitale.
“Janë rritur format e rënda dhe hospitalizimet kryesisht tek mosha e re dhe e mesme. S’ka mbingarkesë spitalore, as në terapi intensive. Tek te rriturit janë 130 shtrime në javë flasim për QSUT, tek fëmijët një numër i ulët rreth 10 raste.”
Specialistët e shëndetit publik I referohen viteve të shkuara dhe thonë se rënie e numrit të të prekurve pritet në mes të shkurtit. Ndërkohë apelojnë për të shmangur vendet me shumë njerëz dhe për të kontaktuar mjekun e familjes me shfaqjen e shenjave klinike./abcnews.al