E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grupkapitulli i fundit i negociatave me BE/ Elisa Spiropali: Do arrijmë objektivin deri në 2030-n

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm të Brukselit, për hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë me Shqipërinë, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se ky vendim së bashku me mbajtjen e konferencës ndërkombëtare që do të mbahet në shtator, “përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave”.

Spiropali shton se Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht “paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE”.

Ky reagim vjen pasi ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Europian kanë vendosur me unanimitet këtë të mërkurë, hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin, që është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së. Pas kësaj, presidenca daneze e BE-së do t’i kërkojë Shqipërisë përmes një letre zyrtare që të paraqesë pozicionin e saj negociues për konferencën e ardhshme ndërqeveritare me qëllim hapjen e këtij grupkapitulli.

Pritet që në fillim të muajit shtator të mbahet edhe konferenca e gjashtë ndërqeveritare për të shënuar hapin final zyrtar të hapjes së të gjithë kapitujve me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në vitin 2030.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›