Guri për ATSH: Nisin përgatitjet për riakreditimin e masave të IPARD III, vlerësimi i BE-së në qershor

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaroi se ka nisur procesi për riakreditimin e masave ekzistuese dhe akreditimin e masave të reja të IPARD III, program ky që mbështet zhvillimin rural dhe përafrimin e bujqësisë shqiptare me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas Gurit, që nga viti 2024 MBZHR ka bashkëpunuar me partnerët europianë për hartimin e një plani masash, i cili është rishikuar dhe në shtator të vitit 2025 është pranuar zyrtarisht. “Ky plan masash u pranua, ndërsa i janë shtuar edhe komentet dhe sugjerimet e partnerëve europianë, për të siguruar një përafrim sa më të plotë me kërkesat e BE-së”, tha ai.
Zëvendësministri bëri të ditur se në dhjetor 2025 Shqipëria organizoi takimin e monitorimit, ku partnerët europianë u shprehën se ka ardhur koha për të filluar hapat e mëtejshëm për akreditimin e masave ekzistuese dhe masave të reja të IPARD III.
“Duke nisur këtë vit, MBZHR dhe institucionet e linjës do të fillojnë hap pas hapi procedurën e riakreditimit të masave të IPARD III, dhe në bazë të këtij procesi, në përfundim të tij do të kemi edhe vlerësimin nga BE për hapjen e aplikimeve për IPARD III”, tha ai.
Guri shtoi se synimi është që deri në fund të qershorit 2026 të kemi vlerësimin e BE, i cili do të mundësojë nisjen e aplikimeve për financimet e IPARD III dhe mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë për investime në sektorët bujqësor, blegtoral dhe rural.
Ai theksoi se programi IPARD III është një instrument kyç për modernizimin e bujqësisë dhe përmirësimin e kapaciteteve të prodhimit, duke krijuar mundësi për përmirësimin e standardeve dhe përfaqësimin e Shqipërisë në tregjet europiane.
“Ky proces nuk është vetëm administrativ, por një hap i rëndësishëm drejt përafrimit me BE, duke siguruar që masat e mbështetjes të jenë efektive dhe të përputhshme me kërkesat europiane”, përfundoi Guri.
/e.xh/a.f/r.e/