E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori Sejko në konferencën “Fuqia e bashkëpunimit”: Audituesit janë partnerë strategjikë për qeverisjen dhe qëndrueshmërinë institucionale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë sot në konferencën rajonale “Fuqia e bashkëpunimit”, të organizuar nga Instituti i Audituesve të Brendshëm. Në fjalën e tij, Sejko theksoi rëndësinë jetike që ka auditimi i brendshëm në forcimin e qeverisjes institucionale dhe ruajtjen e integritetit financiar, sidomos në një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe të ekspozuar ndaj risqeve të reja.

“Auditimi i brendshëm nuk është thjesht një funksion kontrolli – ai përfaqëson një partner strategjik në mbështetje të objektivave të institucionit, duke ofruar siguri, këshillim dhe vlerë të shtuar,” u shpreh Sejko.

Guvernatori vuri në dukje se Banka e Shqipërisë ka investuar në zhvillimin profesional të audituesve të saj, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përmendur trajnime të specializuara, certifikime ndërkombëtare si Certified Internal Auditor (CIA), si dhe përforcimin e metodologjisë së auditimit përmes një qasjeje të bazuar në vlerësimin e rrezikut.

“Bashkëpunimi mes audituesve të brendshëm, të jashtëm dhe autoriteteve mbikëqyrëse nuk nënkupton mbivendosje rolesh, por ndarje të qartë dhe plotësuese të përgjegjësive,” tha Sejko, duke shtuar se një qasje e integruar është thelbësore për ndërtimin e institucioneve më të forta dhe më të besueshme.

Në përfundim, Guvernatori theksoi rëndësinë e forumeve si kjo konferencë për ndarjen e praktikave më të mira dhe ndërtimin e një kulture rajonale bashkëpunimi. Ai ritheksoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur zhvillimin e auditimit dhe për të promovuar qeverisje të mirë dhe transparencë institucionale.

vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›