E Hënë, 2 Nëntor 2026

HAGË – GJNP hedh poshtë kërkesën e Izraelit për të tërhequr urdhërarrestin ndaj Netanyahut

HAGË, 16 korrik /ATSH/- Gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) hodhën poshtë sot kërkesën e Izraelit për të tërhequr urdhërarrestet ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant – ndërsa GJNP shqyrton sfidat izraelite ndaj juridiksionit të saj mbi zhvillimin e luftës në Gazë, sipas “Reuters”.

Në një vendim të publikuar në faqen e internetit të GJNP-së, gjyqtarët gjithashtu hodhën poshtë një kërkesë të Izraelit për të pezulluar hetimin më të gjerë të GJNP-së për krime të dyshuara mizore në Territoret Palestineze.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste më 21 nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe një udhëheqës të Hamasit, Ibrahim al-Masri, për krime lufte të dyshuara dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin e Gazës.

Gjykata tha në shkurt se gjyqtarët kishin tërhequr urdhërarrestin për al-Masri, i njohur gjithashtu si Mohammed Deif, pas raportimeve të besueshme për vdekjen e tij.

Izraeli ka hedhur poshtë juridiksionin e gjykatës me qendër në Hagë dhe ka mohuar krimet e luftës në Gazë – ku ka zhvilluar një fushatë ushtarake – sipas të cilit synon eliminimin e Hamasit – pas sulmit vdekjeprurës ndaj Izraelit – të kryer nga grupi militant palestinez më 7 tetor 2023.

Izraeli ka kundërshtuar urdhërarrestet kundër Netanyahut dhe Gallant duke argumentuar se nuk ka bazë të vlefshme juridiksionale.

Gjyqtarët e hodhën poshtë këtë arsyetim si të pasaktë, duke thënë më 15 korrik se sfida juridiksionale e Izraelit ndaj urdhërarresteve ishte ende në pritje dhe se urdhërarrestet do të mbeteshin në fuqi derisa gjykata të vendoste në mënyrë specifike për atë çështje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›