E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

HAGË – NATO i premton Ukrainës mbështetje të vazhdueshme

HAGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i tha presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se Ukraina do të kishte mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve për mbrojtjen e vendit kundër Rusisë.

“Të gjithë janë shumë të motivuar… për t’ju mbajtur të fortë, dhe për ta çuar këtë luftë të tmerrshme në një paqe të qëndrueshme”, i tha Rutte presidentit Zelensky ndërsa u takuan në Hagë përpara samitit dyditor të aleancës mbrojtëse.

Aleatët, përfshirë SHBA-ja nën drejtimin e ish-presidentit Joe Biden, ranë dakord vitin e kaluar se Ukraina ishte në “një rrugë të pakthyeshme” drejt anëtarësimit në NATO.

Pas rikthimit në pushtet të presidentit të SHBA-së Donald Trump në janar, Uashingtoni e bëri të qartë se nuk e shihte më Ukrainën me NATO-n në të ardhmen e afërt duke pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin.

Ky vendim u pasua nga një takim i tensionuar midis Zelensky dhe Trump në Shtëpinë e Bardhë, në shkurt.

Rutte e siguroi Zelensky se udhëheqësit e NATO-s do të ofronin mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën – duke shtuar se anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja kishin premtuar 35 miliardë euro (40,6 miliardë dollarë) për Kievin këtë vit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›