E Hënë, 2 Nëntor 2026

HAVANA – Kuba miraton masa emergjente në përgjigje të bllokadës së naftës nga SHBA-ja

HAVANA, 7 shkurt /ATSH-DPA/- Kuba po zbaton masa gjithëpërfshirëse për kursimin e karburantit, duke përfshirë shkurtime në transportin publik, kufizime në shkolla dhe universitete dhe një ofertë të reduktuar turistike, mes tensioneve të larta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një embargoje shtrënguese të naftës.

Qeveria e ishullit socialist të Karaibeve tha dje se hapat e emergjencës kishin për qëllim mbajtjen në funksion të aktivitetit ekonomik dhe shërbimeve thelbësore publike.

“Uashingtoni ka vendosur një “bllokadë energjitike” ndaj Kubës si pjesë e një përshkallëzimit agresiv”, tha zëvendëskryeministri Óscar Pérez-Oliva Fraga gjatë prezantimit të planit.

Kuba nuk ka marrë naftë nga Venezuela që nga dhjetori pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump urdhëroi një bllokadë të plotë të cisternave të naftës të sanksionuara – që transportonin furnizime nga aleati i Kubës në Amerikën e Jugut.

Havana humbi një partner kyç kur udhëheqësi venezuelian Nicolás Maduro u arrestua nga ushtria amerikane në fillim të janarit.

Trump më vonë kërcënoi se do të vendoste tarifa për furnizuesit e naftës së Kubës, duke bërë që Meksika – së fundmi furnizuesi kryesor i ishullit – të ndalonte furnizimet.

“Për të kursyer energji, administrata publike do të funksionojë vetëm nga e hëna në të enjte”, thanë zyrtarët.

Shërbimet e autobusëve, hekurudhave dhe trageteve do të reduktohen ndjeshëm, ndërsa nëpunësit civilë mund të riemërohen për të lehtësuar mungesat e fuqisë punëtore në sektorët kryesorë.

Universiteti i Havanës tha se do të pezullonte kryesisht mësimdhënien me pjesëmarrje fizike për 30 ditë.

Turizmi, një burim i rëndësishëm i valutës së huaj, do të preket gjithashtu.

Pérez-Oliva Fraga tha se sektori do të mbrohej, por do të përqendrohej në destinacionet me kërkesën më të lartë, ndërsa operacionet e aeroportit do të vazhdonin.

Kriza ka bërë krahasime me fillimin e viteve 1990, kur rënia e Bashkimit Sovjetik e zhyti Kubën në rënien e saj më të thellë ekonomike që nga revolucioni i vitit 1959.

Produkti i brendshëm bruto ra me më shumë se një të tretën dhe nafta u pakësua, përpara se vendi të rimëkëmbej përfundimisht me ndihmën e Venezuelës dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi.

Ekspertët thonë se situata tani është edhe më e keqe. Kubanezët kanë vite që përballen me efektet e keqmenaxhimit sistematik dhe politikave të ashpra nga SHBA-ja.

Ndërprerjet e energjisë elektrike po shtohen, rrjeti elektrik është në gjendje të keqe për shkak të mungesës së investimeve, ushqimi dhe ilaçet janë të pakta dhe më pak turistë po vizitojnë ishullin ndërsa kriza thellohet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›