E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hakerimi i sistemit të SPAK, GJKKO kalon për gjykim dosjen e 3 të pandehurve

Gjykata e Posaçme kaloi sot për gjykim dosjen e 3 të pandehurve të akuzuar për hakerimin e e-maileve dhe sistemeve të saj.

Në seancën paraprake të 6 marsit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Paulin Çera vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin për gjykim të dosjes në ngarkim të tre të pandehurve: Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili.

Arnold Rrokaj akuzohet për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryera në formën e bashkëpunimit në grup të strukturuar kriminal. Zambak Gjoni akuzohet për “Përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Agim Ismaili akuzohet për “Përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për të proceduar me gjykim të zakonshëm.

Sipas SPAK, më datën 12 mars 2025 ka patur një tentativë të paligjshme për të ndërhyrë në adresat e e-maileve të disa prokurorëve të kësaj strukture. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ndërhyrja ka prekur vetëm disa adresa e-mail dhe jo sistemin e përgjithshëm të IT-së së institucionit.

Nga hetimet rezulton se Arnold Rrokaj ka aksesuar në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të SPAK, një pjesë e të cilave janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme tek Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili. Këta të fundit i kanë transmetuar më pas këto materiale tek persona të tretë, duke cenuar rëndë sekretin hetimor.

Si rezultat i analizimit të provave dhe veprimeve të shumta hetimore, akuzat u zgjeruan edhe ndaj Agim Ismailit, i cili, sipas SPAK, ai jo vetëm që i shpërndau ato, por kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të sistemeve të SPAK, duke synuar sigurimin e të dhënave për persona të ndryshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›