Hakerimi i sistemit të SPAK, dërgohen për gjykim tre persona: Morën dosjet hetimore dhe i shpërndanë te persona të tretë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre të pandehurit të akuzuar për hakerimin e e-maileve dhe sistemeve të saj.
Sipas SPAK, më datën 12 mars 2025 është marrë informacion për një tentativë të paligjshme për të ndërhyrë në adresat e e-maileve të disa prokurorëve të kësaj strukture. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ndërhyrja ka prekur vetëm disa adresa e-mail dhe jo sistemin e përgjithshëm të IT-së së institucionit.
Nga hetimet rezulton se Arnold Rrokaj ka aksesuar në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të SPAK, një pjesë e të cilave janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme tek Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili. Këta të fundit i kanë transmetuar më pas këto materiale tek persona të tretë, duke cenuar rëndë sekretin hetimor.
Pas rastit, SPAK ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e Arnold Rrokajt dhe Zambak Gjonit brenda 24 orëve, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.
Si rezultat i analizimit të provave dhe veprimeve të shumta hetimore, akuzat u zgjeruan edhe ndaj Agim Ismailit, i cili, sipas SPAK, ai jo vetëm që i shpërndau ato, por kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të sistemeve të SPAK, duke synuar sigurimin e të dhënave për persona të ndryshëm.
SPAK thekson se ky rast përbën një rrezik serioz për sigurinë e informacionit dhe integritetin e hetimeve, ndërsa garanton se masat e sigurisë funksionuan duke parandaluar depërtimin në sistemet qendrore dhe në dosjet sensitive të institucionit.
SPAK ka dërguar për gjykim:
Arnold Rrokaj, i hetuar me masën e sigurisë “Arrest në burg”, i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;
Zambak Gjoni, i hetuar gjithashtu me masën “Arrest në burg”, i akuzuar për “Përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal;
Agim Ismaili, i hetuar në gjendje të lirë, i akuzuar për “Përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe përfshirje në veprimtari kriminale të organizuar.
/rtsh.al/