Hapet ekspozita në “Marubi”, Pazari i Shkodrës sillet përmes artefakteve dhe imazheve të rralla

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hapi pasditen e djeshme për publikun ekspozitën “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” që rikthen në vëmendje historinë vizuale dhe kulturore të Pazarit të Shkodrës, përmes objekteve, artefakteve dhe imazheve të rralla.
Për herë të parë, të pranishmit u njohën me koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm shkodran, i cili ruhet në arkivën e Muzeut të Etnografisë në Budapest.
Në këtë ekspozitë, objektet historike vihen në dialog me pjesë nga fondi etnografik i Institutit të Antropologjisë dhe me imazhe të papublikuara më parë nga arkivi i Muzeut “Marubi”.
“Përmes kësaj ekspozite, unë dëshiroj që të marr çdonjërin nga ju si në një udhëtim që ju kthen pas në kohë, kujtime dhe imagjinatë. Në këtë mënyrë secili ka mundësi të përfytyrojë përvojën e vet në zemër të Pazarit të vjetër të Shkodrës. E gjitha nis nga simboli i këtij qyteti, kështjella e Rozafës”, theksoi Kim Knoppers, kuratore.
Një seksion i veçantë i kësaj ekspozite i është kushtuar dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale përmes punimeve të tij në tekstile special, duke lidhur mjeshtërinë tradicionale me stilin modern.
Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 13 shtator të këtij viti.