Hapet në mesditë aksi Librazhd–Prrenjas, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet

Pas disa ditësh bllokimi të qarkullimit në aksin Librazhd–Prrenjas, sot (3mars) në mesditë rikthehet lëvizja e automjeteve përmes një devijimi provizor të ndërtuar pranë segmentit ekzistues. Lajmi është konfirmuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili bën me dije se gjatë gjithë këtyre ditëve është punuar intensivisht me mjete të rënda për hapjen e rrugës alternative.
Sipas njoftimit zyrtar, segmenti do të jetë i aksesueshëm për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato me tonazh të rëndë, duke respektuar kufirin maksimal prej 8.2 ton për aks. Qarkullimi do të realizohet përmes një devijimi provizor, i ndërtuar ngjitur me pozicionin e mëparshëm të rrugës, deri në përfundimin e plotë të rrugës alternative të projektuar në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht do të jetë i paasfaltuar, deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës dhe banorëve të zonës që të tregojnë mirëkuptim, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, me qëllim garantimin e një qarkullimi të sigurt për të gjithë.
/rtsh.al/