E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapja e faltoreve në 35 vite-Pelegrinazhi në teqenë e Turanit, simbol bashkimi

25 marsi shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme për besimtarët e Korçës dhe zonave përreth: pelegrinazhin në Teqenë e njohur të Turanit.

Kjo ditë përfaqëson një moment të veçantë përkujtimi dhe reflektimi, duke bashkuar besimtarë të shumtë në një atmosferë paqeje, besimi dhe tradite. Teqeja e Turanit mbetet një vatër e rëndësishme e besimit bektashian dhe një simbol i qëndresës shpirtërore e atdhetare ndër vite.

Siç është shprehur edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, kjo teqe nuk është vetëm një vend kulti, por edhe një qendër që ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e bektashizmit, sidomos në periudha të vështira historike.

Kryegjyshi Botëror, për mikrofonin e RTSH, ka theksuar se në këtë 35-vjetor të hapjes së demokracisë dhe rikthimit të lirisë së besimit, Kryegjyshata ndjehet krenare për rrugëtimin e bërë:

“Promovon vlerat e këtij komuniteti që për 35 vjet i ka dhënë Shqipërisë dhe mbarë botës dashurinë, paqen dhe mirësinë. Në këtë 35-vjetor jemi me ballin lart, sepse kemi ngritur faltore në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Greqi dhe kudo që shtrihet bektashizmi.”

Pelegrinazhi në Teqenë e Turanit mbetet një traditë e gjallë që bashkon besimtarë nga të gjitha trevat, duke përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe harmonie.

Kjo ngjarje është një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së besimit dhe e lidhjes së fortë të komunitetit me vlerat shpirtërore dhe kombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›