E Martë, 3 Nëntor 2026

Hasani me homologen daneze: Synojmë hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave këtë vit

TIRANË, 20 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot se “qëllimi i qeverisë shqiptare është hapja e të gjithë kapitujve të negociatave këtë vit, gjatë presidencës daneze të Bashkimit Europian”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologen daneze, Marie Bjerre, e cila po zhvillon një vizitë në Tiranë, Hasani shprehu bindjen se brenda vitit 2027 Shqipëria përfundon negociatat për anëtarësim me BE-në.

“Vizita përkon për koincidencë pikërisht dy ditë para konferencës së pestë ndërqeveritare në Bruksel midis BE-së dhe Shqipërisë, ku parashikohet të çelet zyrtarisht grup-kapitulli i tretë, i cili që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Ky grup-kapitull përfshin 8 kapituj të rinj që hapen”, tha Hasani.

Ministri Hasani shprehu bindjen se brenda këtij viti do të çelen edhe grup-kapitujt e mbetur, ndërsa brenda vitit 2027 të përfundojnë negociatat, duke pasur 2030-n si pikën më të fundit, ku Shqipëria ulet si e barabartë mes të barabartëve në tryezën e Bashkimit Europian.

Duke nisur nga fakti se Danimarka merr presidencën e Bashkimit Europian më 1 korrik, Hasani shprehu bindjen se “nën udhëheqjen dhe me mbështetjen e presidencës daneze, Shqipëria do të përmbushë edhe qëllimin e saj brenda gjysmës së dytë të këtij viti që të hapë për negocim edhe dy grup-kapitujt e tjerë të mbetur”.

“Bëhet fjalë për grup-kapitullin mbi Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjet, si edhe grup-kapitulli mbi Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”, u shpreh Hasani.

1 nga 4

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›