Hasani nesër në Athinë për “Detin”! Ministri i Jashtëm për mediat greke: Dialog për çështjet e pazgjidhura

“Çështjet e pazgjidhura dypalëshe mund të përballohen dhe të zgjidhen”. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm Igli Hasani në një intervistë për gazetën TA NEA, para vizitës së tij në Athinë.
“Qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në mënyrë që përputhen me rregullat ndërkombëtare, duke u bazuar në lidhjet e thella historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë prej brezash. Këto lidhje të përhershme kanë ndihmuar në formimin e një marrëdhënieje që duhet të vazhdojë të udhëhiqet nga bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë. Vizita ime në Athinë është një mundësi për të ndërtuar mbi këtë themel dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për dialog konstruktiv”, tha ministri Hasani.
Hasani ka nënvizuar gjithashtu se Tirana vlerëson veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Athinës për integrimin evropian të Shqipërisë.
“Me Shqipërinë në një fazë kyçe për anëtarësimin në BE, tashmë janë hapur katër grup-kapituj negociatash, ky është momenti i duhur për forcimin e lidhjeve jo vetëm në kontekstin evropian, por edhe në fusha si infrastruktura, burimet e rinovueshme të energjisë dhe shkëmbimet ndërnjerëzore. Mbështetja e vazhdueshme e Greqisë do të mbetet thelbësore ndërsa punojmë për të sjellë më afër vendet dhe shoqëritë tona”, shtoi ministri i Jashtëm.
Ndërsa u pyet nëse është e arritshme për Shqipërinë të anëtarësohet deri në vitin 2030, Hasani u përgjigj: Shqipëria gjendet në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Pas reformave të gjera, tani ndodhemi në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit, me katër grup-kapituj negociatash që tashmë janë hapur. Përparimi në fusha kyçe, si sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe administrata publike ka vendosur një bazë të qëndrueshme. Objektivi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve dhe të përfundojmë negociatat deri në vitin 2027-të, duke përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030-të.
I pyetur se ku bazohet përqindja e lartë e votave që siguroi Rama nga emigrantët shqiptarë në Greqi në zgjedhjet e 11 Majit shefi i diplomacisë tha se ky fakt pasqyron besimin vazhdueshëm në udhëheqjen e kryeministrit shqiptar, angazhimin e qeverisë për reforma thelbësore dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane.
/vizionplus.tv