Hasani për marrëveshjen e sigurisë me Ukrainën: Jemi në anën e të drejtës ndërkombëtare

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Parlamenti ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës, e nënshkruar më 21 Janar 2025, në Davos.
Marrëveshja synon që, në përputhje me kapacitetet e saj, Republika e Shqipërisë të ofrojë mbështetje politike, ushtarake, teknike, mbrojtëse dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e angazhimeve dypalëshe dhe ndërkombëtare.
Gjatë prezantimit në seancë plenare të kësaj marrëveshjeje, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nënvizoi se që prej fillimit të agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës, Shqipëria ka qëndruar qartë se është në anën e ligjit, të drejtës ndërkombëtare dhe të popullit ukrainas.
“Si vend anëtar i besueshëm i NATO-s, marrim përgjegjësitë e nevojshme në mbrojtje të rendit ndërkombëtar që garanton paqen dhe lirinë për të gjithë”, shtoi ai.
Përmes marrëveshjes, Shqipëria angazhohet në katër fusha kryesore: siguri dhe mbrojtje; llogaridhënie dhe drejtësi ndërkombëtare; ndihmë humanitare dhe rindërtim; dhe reagim në rast përshkallëzimi, për të garantuar që jemi të përgatitur dhe në bashkëpunim në çdo skenar.
/m.m/a.f/