E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hasani pret homologun hungarez, diskutohet integrimi dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik

Hungaria ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ky, për ministrin e Punëve të Jashtme, Igli Hasani, duhet të jetë një shembull për t’u marrë edhe nga vendet e tjera anëtare të Unionit.

“Presidenca aktuale hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj thelbësore, është treguesi më i qartë i këtij angazhimi. Do të dëshironim që këtë vizion strategjik lidhur me rajonin dhe peshën gjeopolitike që është krijuar në kushtet komplekse që po kalon kontinenti ynë, ta bënin të tyren edhe disa prej vende të tjera anëtare të BE-së. Vetëm kësisoj afrimi i vendeve tona me Unionin do të fitonte ritmin e duhur dhe do të përparonte pa pengesa shpesh të panevojshme”, tha ministri Hasani. 

Për ministrin e Jashtëm hungarez, Shqipëria është gati për t’u bërë pjesë e BE, duke shtuar se Unioni po dëmtohet nga zvarritja e procesit.

“Vendet e BP po presin prej 14 vjetësh që të anëtarësohen dhe mendojmë se ky trajtim  është i pamerituar për këto vende. Jemi pro procesit të zgjerimit të përshpejtuar. Shikojmë se Shqipëria ka përmbushur të githa kërkesat që kanë të bëjnë me këtë proces dhe mendojmë se Shqipëria e meriton plotësisht të fillojë procesin e anëtarësimit. Për këtë arsye, Hungaria sivjet do të organizojë në Bruksel dy mbledhje të nivelit të lartë mes Shqiëprisë dhe vendeve anëtare të BE ku do të diskutohet për kapitujt dhe hapat që do të kryhen dhe cilat sdo të jenë qëllimet që duhet të arrihen përmes këtyre kapitujve. Çdo vonesë e tepërt është kundër interesave të të gjithë ne dhe të BE”, shtoi Hasani. 

Gjatë një takimi që zhvilloi këtë të mërkurë në Tiranë me homologun e tij hungarez, ministri Hasani nënvizoi edhe nevojën për dialog mes vendeve të rajonit në funksion të paqes.

“Në fokusin tonë natyrshëm zunë vend edhe situatat e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet në rajon. Dialogu, bashkëpunimi ekonomik, tregtar, arsimor e kulturor ndikojnë në pasjen e një rajoni në paqe dhe të orientuar nga mirëkuptimi dhe begatia për qytetarët e vendeve tona”, theksoi ministri i Jashtëm. 

Dy vendet u angazhuan të intensifikojnë më tej bashkëpunimin në politikë, në ekonomi, në organizatat ndërkombëtare dhe për integrimin evropian./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›