Heroi që shpëtoi turistët/ Arben Anamali sakrifikoi veten për të shpëtuar të huajt

Ky është Arben Anamali, një kapiten anijeje, një qytetar i thjeshtë i Shkodrës…por mbi të gjitha, një njëri që vuri jetën e të tjerëve përpara të tijës.
Të martën, në ujërat e liqenit të Shkodrës, që e njihte më mirë se kushdo tjetër, Arbeni bëri aktin më të lartë të humanizmit, duke shpetuar disa turiste izraelite te cilet u hodhën në ujë për t’u larë pa marrë miratimin e kapitenit.
Të lodhur nga era dhe dallgët, turistët kërkuan ndihmë.
Në tentativën për t’i shpëtuar të gjithë, kapiteni nuk shpëtoi dot veten.
Këto ujëra të liqenit të Shkodrës, ku Arben Anamali punonte prej më shumë se një viti në shërbim të turistëve, të martën morën me vete një hero. Kapiteni shkodran i anijes turistike nuk e mendoi dy herë kur u hodh për të shpëtuar 5 turistë izraelitë, të cilët po rrezikonin të mbyteshin. Turistët dolën në breg, por kapiteni hero nuk doli i gjallë.
Që prej së martës, kërkimet për trupin e 51-vjeçarit vijojnë. Forcat polumbare të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe punonjës të bashkisë vijojnë operacionin për gjetjen e trupit, por erërat e forta e vështirësojnë edhe punën e tyre.
Shtëpia e 51 vjeçarit që ndodhet në lagjen Ndocaj të Shkodrës është kyçur.
Familjarët mbajnë shpresat gjallë për gjetjen shëndosh e mirë të kapitenit, ndërsa së bashku me të afërm, qytetare shkodranë e kushdo që ka dëgjuar për aktin e tij heroik po ndjekin nga afër kërkimet për trupin e pajetë të tij.
Abc News pati një bisedë jashtë kamerave me bashkëshorten e kapitenit, Najada Anamali, e cila u shpreh se lajmin e mësoi nga një koleg i kapitenit që e telefonoi dhe i tha se ka pësuar një aksident, ndërsa thotë se në anije ishte i vetëm.
“Më kontaktoi kolegu i tij që punon në barkën tjetër. Tha Arbeni ka pësuar një aksident me anije dhe po vijmë të marrim që të jesh prezentë. Mbërrita këtu, dhe më treguan ngjarjen që kishte ndodhur. Kanë filluar kërkimet, dhe deri më tani nuk kam lëvizur nga këtu. Ne kemi dy fëmijë, 17 dhe 15 vjeç. Ne ende shpresojmë që të jetë gjallë. Shpresa vdes e fundit. Arbeni ka qenë vetëm në anije, pa një anëtar tjetër në ekuipazh. Nëse do kishin qenë dy persona në anije, mund të kishte shpëtuar. Në anije kanë qenë 17 persona, si nuk e shpëtuan ata turistët. Nuk ka pasur ndonjë problem shëndetësor, ka qenë shumë i shëndetshëm fizikisht, ndaj ka pasur edhe atë vetëbesim se ia del me i nxjerr nga uji.”
Kapiteni Anamali, babai i dy fëmijëve vinte nga një familje shkodrane.
Një lajm që nuk tronditi vetëm Shkodrën, por, mbarë vendin.
Asim Kruja, komshi me të ndjerin, thotë për abc news se janë rritur bashkë, dhe se do ta kujtoje gjithmonë si një njeri fisnik dhe punëtor.
51 vjeçari, kishte ndjekur gjurmët e të atit, i cili gjithashtu ishte mjeshtër i motorrave të barkave dhe skafeve.
Liqeni duket se do ta mbaje per vete trupin e heroit, por dhjetera persona po punojne per ta gjetur kapiten Anamalin, pasi ai meriton perkuljen dhe nderimin e te gjitheve./abcnews.al