Hetimet për vdekjen e ukrainaseve, dyshohet se ishin pjesë e rrjetit të prostitucionit në Shqipëri e Mal të Zi

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vdekjen e dy vajzave nga Ukraina, të cilat u gjetën pa shenja jete në banesën e marrë me qira në zonën e Selvisë, tri ditë më parë.
Grupi hetimor ka dyshime të forta se vajzat ishin pjesë e një grupi që funksiononin si eskorta në Tiranë. Në dëshminë e dytë shoqja e tyre, Yeva Vorona , ka pranuar se ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës, jo në Shqipëri por në Mal të Zi.
Sipas saj në Tiranë kishin ardhur për pushime. Por grupi hetimor ka dyshime se ky aktivitet ushtrohej dhe në kryeqytet kjo pasi Yeva Vorona kishte katër muaj që ndodhej në Shqipëri. Referuar sistemit “TIMS” rezulton se ajo ka udhëtuar disa herë drejt Malit të Zi.
Telefonat e dy vajzave që humbën jetën, Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova, janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për të zbërthyer komunikimet e fundit të tyre. Ekspertiza paraprake ka dalë në konkluzionin se shkaku i vdekjes ishte mbidozë e ilaçeve me përmbajtje narkotike. Ndërkohë dy viktimat vuanin nga sëmundje të zemrës dhe epilepsisë. /vizionplus.tv