E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidrovori jashtë funksionit, në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, uji ka hyrë në disa banesa

Reshjet e shiut me intensitet deri mesatar,  kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në kanalet kulluese të qytetit të Vlorës. Si pasojë, disa familje që jetojnë pranë hidrovorit në lagjen “Kushtrimi” janë përballur me përmbytje të oborreve të banesave të tyre.

Sipas të dhënave, mbi 10 banesa janë prekur nga vërshimi i ujit, ndërsa situata është rënduar për shkak të funksionimit të pjesshëm të hidrovorit të qytetit.

Nga katër pompat që ka hidrovori, vetëm njëra ka qenë në funksion, çka ka sjellë rritje graduale të nivelit të ujit në kanalin që shkon drejt pompave dhe përmbytjen e zonave përreth.

Nga ana tjetër, një punonjës i hidrovorit shpjegon se mosfunksionimi i pompave lidhet me dëmtimet e shpeshta të shkaktuara nga mbeturinat e shumta që bllokojnë sistemin dhe pamundësojnë funksionimin normal të tij.

Ndërkohë, autoritetet vendore janë vënë në dijeni të situatës dhe pritet ndërhyrje për vënien në punë të plotë të hidrovorit, me qëllim shmangien e përmbytjeve në rast të reshjeve të tjera ditët në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›