E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Historitë e çmendura të Tiranës”, libri i ri i Ben Blushit

“Historitë e çmendura të Tiranës” është libri më i ri i shkrimtarit Ben Blushi, që sjell në vëmendje historinë e kryeqytetit dhe personazhet që kanë shënuar katër shekuj të saj. Përmes ngjarjeve të pazakonta dhe rrëfimeve pak të njohura, autori zbulon një anë tjetër të së kaluarës së Tiranës.

38 kapituj, 100 personazhe dhe 400 vite histori, nga viti 1600 deri në vitin 2000. Në faqet e librit ndërthuren historitë e shqiptarëve dhe të huajve, politikanëve e klerikëve, pashallarëve e bejlerëve, burrave dhe grave që kanë lënë gjurmë në periudha të ndryshme.

Gjatë promovimit, në një bisedë me botuesin e tij, Bujar Hudhri, Blushi ndau detaje mbi personazhet dhe episodet që ka zgjedhur të përfshijë në këtë libër.

“Ka miliona personazhe, pra miliona njerëz që kanë jetuar këtu. Unë kam përzgjedhur ata që kanë qenë pak më të njohur edhe i kanë lënë gjurmë si të thuash në qytet, qofshin politikanë, ushtarakë, princa, mbretër, pashallarë, hoxhallarë, shkrimtarë. Patjetër kam histori shkrimtarësh shumë të bukur, të Haki Stërmillit, poetë, fotografë të huaj apo shqiptarë. Kështu që është një përzgjedhje komplet subjektive, por duke pasur një fill racional”, tha Blushi.

Rrëfimi nis me Sulejman Pashë Bargjinin, themeluesin e Tiranës, dhe vijon me Haxhi Et’hem Beun, të lidhur me ndërtimin e disa prej simboleve të kryeqytetit, mes tyre edhe Kulla e Sahatit. Në libër përfshihen edhe figura të artit dhe kulturës, si poeti Zenel Bastari dhe piktori anglez Edward Lear, i cili vizitoi Tiranën në vitin 1848.

Një vend të veçantë zë familja Toptani, ndërsa mes personazheve trajtohet edhe Ahmet Zogu dhe roli i tij në modernizimin e kryeqytetit. Blushi ndalet gjithashtu te figura të huaja si Benito Musolini dhe Viktor Emanueli III, si dhe te atentati ndaj mbretit italian në Tiranë.

Rrëfimi vijon me periudhën e komunizmit, përmes figurave të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, për të mbërritur te transformimet e kryeqytetit në fund të shekullit të njëzetë.

Përmes këtyre rrëfimeve, autori synon të sjellë një këndvështrim ndryshe mbi historinë, duke u ndalur jo vetëm te figurat e njohura, por edhe te ngjarjet e harruara dhe episodet që rrallë janë bërë pjesë e vëmendjes publike.

Lajme të Sugjeruara

Vjeshta e Kolonjës frymëzon 45 piktorë nga trevat shqiptare, rikthehet “Kolonia e Piktorëve”

Vjeshta e Kolonjës frymëzon 45 piktorë nga trevat shqiptare, rikthehet “Kolonia e Piktorëve”

Akrobatja shqiptare Fiona Rushiti hyn në Guinness, thyen rekordin botëror me 72 rrotullime në 30 sekonda (VIDEO)

Akrobatja shqiptare Fiona Rushiti hyn në Guinness, thyen rekordin botëror me 72 rrotullime në 30 sekonda (VIDEO)

Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari

Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›