E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hita: Do të ndëshkohet çdo person që shkakton zjarr me dashje apo nga pakujdesia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, mori pjesë në aktivitetin për “Prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve, rritjen e gatishmërisë së strukturave shtetërore dhe koordinimin në terren për çdo emergjencë”, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për menaxhimin e emergjencave gjatë sezonit veror.

Në fjalën e tij, Hita shprehu mirënjohje për punën dhe sakrificën e efektivëve zjarrfikës, duke vlerësuar rolin e tyre në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

“Sikurse misioni i Policisë së Shtetit, edhe misioni juaj është në shërbim të jetës dhe pronës së qytetarëve. Në çdo vatër zjarri dhe situatë rreziku, ju keni qenë në vijën e parë me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim”, u shpreh ai.

Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se ngjarjet e fundit kanë treguar rëndësinë e koordinimit mes Policisë së Shtetit, shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor, për të bërë të mundur reagimin e shpejtë dhe minimizimin e pasojave nga zjarret.

Sipas tij, reagimi në kohë mbetet elementi kyç për parandalimin dhe neutralizimin e flakëve, si dhe për shpëtimin e jetëve në rrezik.

“Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia shkaktojnë zjarr, duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Hita shprehu vlerësim për efektivët zjarrfikës dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të kryejnë detyrën me përgjegjësi të lartë edhe në kushte të vështira dhe përballë rrezikut real.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›