E Diel, 1 Nëntor 2026

Hodhën molotovë në protestë, 4 në pranga dhe 7 të proceduar

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar katër persona dhe ka proceduar penalisht shtatë të tjerë për hedhjen e lëndëve djegëse dhe kundërshtimin e forcave të policisë mbrëmjen e djeshme, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë nga Partia Demokratike.

Sipas njoftimit të Policisë, është proceduar penalisht edhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia bëri të ditur se tre punonjës policie u dëmtuan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim, u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç; E. S., 36 vjeç; Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.

“Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10”, njoftoi policia.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/a.f/m.q/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›