E Diel, 1 Nëntor 2026

Hodhi çantën me armë zjarri dhe municion sapo pikasi policinë, arrestohet 37-vjeçari në Kurbin. Procedohet dhe i vëllai

Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia në Kurbin pasi sapo ka pikasur blutë ka hedhur nga muri rrethues i banesës së tij në fshatin Gjorm çantën me armë zjarri dhe municion si dhe tentoi të largohej me vrap. Po kështu është proceduar penalisht vëllai i tij, të cilit i kanë gjetur sende me vlerë që dyshohet se kanë burime të dyshimta kriminale.

Sipas burimeve zyrtare, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë operative, rreth 2 shtetasve (vëllezër) të dyshuar të implikuar në disa veprimtari kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Risku”.

Në kuadër të operacionit, fillimisht u ndalua për kontroll, automjeti që drejtonte shtetasi E. Hasani alias E. S.. Në automjet u gjetën bizhuteri floriri dhe 4 ora dore të markave luksoze, burimi i të cilave nuk justifikohet nga shtetasi E. Hasani alias E. S..

Më pas, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, në fshatin Gjormë. Sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, vëllai i shtetasit E. Hasani alias E. S., shtetasi Leonard Hasani ka hedhur nga muri rrethues i banesës, një çantë, dhe ka tentuar të largohet me vrap. Shtetasi Leonard Hasani u kap, si dhe u gjet çanta, brenda së cilës ishte 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak që posedohej pa leje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard Hasani, 37 vjeç, si dhe u procedua penalisht vëllai i tij, shtetasi E. Hasani alias E. S., 35 vjeç.

Ndërkaq, vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e sendeve me vlerë të sekuestruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›