Hoxha: Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja, kërcënim real ndaj demokracisë

TIRANË, 27 korrik/ATSH-Maela Marini/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se kërcënimi ndaj demokracisë nga manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja është real dhe mbrojtja e saj kërkon angazhimin e të gjithëve.
Në përfundim të konferencës së organizuar sot në Tiranë me temë “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, Hoxha tha se zhvillimet e teknologjisë dhe epokës digjitale kanë sjellë edhe pasoja të paparashikuara, ndërsa inteligjenca artificiale mbetet ende gati tërësisht e parregulluar.
“Epoka digjitale dhe teknologjia kanë transformuar jetët tona, ekonominë, botën, mënyrën se si e shohim botën dhe ndërveprimin midis nesh. Por si çdo revolucion tjetër ka sjellë po kështu edhe pasoja të paparashikuara. Inteligjenca artificiale që është ende tërësisht e parregulluar. Kështu që përballemi me kërcënime”, tha ai.
Sipas ministrit Hoxha, lufta hibride nuk është një konkurs idesh apo narrativash, por një strategji e atyre që kanë ide të qarta dhe dinë çfarë duan.
“Dezinformimi është një strategji sepse është absolutisht një luftë hibride me ata që qëndrojnë pas, që kanë ide shumë të qarta, që dinë çfarë duan, që dinë të shënjestrojnë dhe dinë çfarë duan”, tha Hoxha.
Ministri theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe për forcimin e mekanizmave të rezistencës ndaj kërcënimeve hibride dhe dezinformimit.
“Ne duhet të punojmë patjetër për strategjinë që të shohim se si mund të prodhojmë mekanizma dhe po kështu dhe të shfrytëzojmë parlamentin dhe fuqinë e tij për të ndihmuar”, u shpreh ai.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e verifikimit të fakteve dhe korrigjimit të informacionit të rremë.
/a.f/