E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Samiti i Diasporës, moment i rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë sonë gjuhësore

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri me dije se gjatë vizitës në Bruksel, diskutimet u përqendruan jo vetëm te Bashkimi Evropian, por edhe te roli i Diasporës.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha nënvizoi se takimet me diasporën janë gjithmonë një pjesë thelbësore e çdo programi sepse shqiptarët, kudo që jetojnë, mbeten një forcë e rëndësishme dhe një lidhje e gjallë me vendin tonë.

Ministri Hoxha, ishte i pranishëm në një mbrëmje të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë, për të nderuar punën e palodhur të mësuesve të shkollave shqipe në Diasporë.

“Me përkushtim, durim dhe dashuri për gjuhën dhe kulturën tonë, këta mësues mbajnë gjallë shqipen larg atdheut, duke kultivuar te brezat e rinj vlerat tona kombëtare dhe duke forcuar ndjenjën e identitetit shqiptar”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha, duke u ndalur te puna e mësuesve shqiptarë në diasporë, e cilësoi angazhimin e tyre si një mision fisnik për të ruajtur lidhjen e fëmijëve shqiptarë me rrënjët, historinë dhe traditat.

“Mirënjohje e thellë për të gjithë mësuesit dhe prindërit, të cilët me përkushtimin e tyre bëjnë që gjuha shqipe të jetojë, të zhvillohet dhe të transmetohet edhe përtej kufijve. Samiti i Diasporës, nën moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”, që do të mbahet më 14–15 prill 2026 në Tiranë, do të jetë një tjetër moment i rëndësishëm bashkimi dhe kuvendimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore  themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti shqiptar përtej kufijve”, vijoi ai.

“Kombi mbahet me gjuhë dhe me kujtesë”, këshillonte kolosi i mendimit shqiptar, Faik Konica. Dhe janë pikërisht mësuesit ata që në diasporë gjenden në vijën e parë të përpjekjeve për të mbajtur gjallë si gjuhën, ashtu edhe kujtesën tonë kombëtare për brezat që rriten larg atdheut, por me shqiptarinë në zemër”, tha Hoxha.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›