E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbja e Melonit në Referendumin për Drejtësinë, lideri i partisë opozitare: Mos të injorohet dëshira e qytetarëve

Referendumi për drejtësinë në Itali u mbyll me 53% të italianëve që votuan “Jo” ndaj reformës së Giorgia Melonit.

Në këtë klimë politike, presidenti i partisë opozitare, “Lëvizjes 5 Yjet”, Giuseppe Conte, u shpreh i hapur ndaj mundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve paraprake.

Ai theksoi se nuk mund të injorohet dëshira e qytetarëve për të qenë pjesë aktive në përzgjedhjen e liderëve.

“Jemi të hapur ndaj perspektivës së zgjedhjeve paraprake, por ato duhet të jenë të hapura për qytetarët dhe jo të drejtuara nga aparate politike,” deklaroi Conte.

Sipas tij, pjesëmarrja e lartë në referendum tregon qartë se një “pranverë e re” po lind nga angazhimi qytetar.

Conte shtoi se nevojitet një debat i gjerë në nivel kombëtar për të identifikuar kandidatin më konkurrues dhe për të ndërtuar një program të qartë politik.

Ai nënvizoi se aleancat nuk duhet të jenë të paracaktuara, por të bazuara mbi objektiva konkrete, pasi – sipas tij – qytetarët nuk i pëlqejnë formulat e gatshme politike.

Referendumi kishte në qendër një reformë të thellë kushtetuese të sistemit të drejtësisë. Ndryshimet kryesore të propozuara ishin:

  • Ndarja e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i bërë ato dy rrugë të ndara pa mundësi kalimi nga njëra te tjetra
  • Krijimi i dy organeve të veçanta të vetëqeverisjes (CSM) për gjyqtarët dhe prokurorët, në vend të një të vetëm
  • Përzgjedhja me short e anëtarëve të CSM, në vend të zgjedhjes direkte
  • Krijimi i një gjykate të re disiplinore, që do të merrej me shkeljet e magjistratëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›