E Premte, 6 Nëntor 2026

Humbje të mëdha në bursa pas disfatës së republikanëve dhe Trump! Investitorët shesin aksionet, “zhduken” 3,2 trilion

Wall Street ka përjetuar një ditë të zezë, duke humbur rreth 3.2 trilionë dollarë në vlerë, ndërsa investitorët janë larguar me shpejtësi nga aksionet e teknologjisë.

Dow Jones ra me 3.44 për qind, S&P 500 me 4.3 për qind, ndërsa Nasdaq regjistroi rënien më të fortë, me 5.52 për qind.

Rënia fshiu plotësisht fitimet e forta të shënuara menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, mes frikës se zgjerimi i qendrave të të dhënave mund të ngadalësohet, shkruan A2.

Në qendër të shitjeve ishin edhe kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale, të cilat pësuan rënie për të dytën ditë radhazi, për shkak të shqetësimeve mbi investimet dhe rregullimin e sektorit.

Tregjet aziatike ndoqën të njëjtën tendencë, me Bursën e Tokios që u mbyll në rënie me 5.96 për qind.

Edhe në Europë nisja e sesionit ishte negative.

Presidenti Donald Trump e cilësoi rënien si një nga ditët më të këqija në historinë e Wall Street, duke fajësuar demokratët për humbjet e tregjeve. Megjithatë, lideri amerikan u përpoq të qetësonte investitorët, duke deklaruar se Amerika do të rikthehet “më e madhe dhe më e fortë se kurrë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›