Humbjet ruse kalojnë 1.2 milionë, raporti zbulon koston reale të luftës në Ukrainë

Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet vitit të katërt të saj, bilanci njerëzor ka arritur përmasa të paimagjinueshme për një konflikt modern. Një raport i ri strategjik, i publikuar këtë të mërkurë nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, ka zbuluar se numri i viktimave ruse (të vrarë, të plagosur rëndë ose të zhdukur) ka kaluar shifrën prej 1.2 milionë ushtarësh.
Këto të dhëna, të mbledhura nga burime të inteligjencës, qeverive perëndimore dhe dëshmitë ushtarake, konfirmojnë se Moska po paguan një çmim gjakatar për çdo metër tokë të pushtuar.
Bilanci i errët, 2 milionë viktima deri në Prill?
Raporti bën një ndarje të detajuar të kostos njerëzore, duke theksuar disbalancën e madhe mes dy palëve ndërluftuese.
Rusia vlerësohet të ketë rreth 325,000 të vrarë dhe pjesën tjetër të plagosur apo të zhdukur, duke e çuar totalin mbi 1.2 milion.
Ukraina vlerësohet të ketë 100,000 – 140,000 ushtarë të vrarë, me një total viktimash (përfshirë të plagosurit) që varion mes 500,000 dhe 600,000.
Parashikimi i CSIS është edhe më i zymtë për të ardhmen e afërt. Nëse luftimet vazhdojnë me intensitetin aktual, totali i kombinuar i humbjeve nga të dyja kampet pritet të arrijë në 2 milionë njerëz brenda muajit prill 2026.
Fitore me metra, jo me kilometra
Një nga gjetjet më interesante të raportit është analiza e “efikasitetit” ushtarak rus. Pavarësisht numrit kolosal të trupave të hedhura në betejë, Putin konfirmoi në dhjetor se ka rreth 700,000 trupa aktive në Ukrainë, përparimi në terren është agonik.
“Gjatë sulmeve më të spikatura, forcat ruse përparuan mesatarisht vetëm 15 deri në 70 metra në ditë,” thekson raporti.
Sipas analistëve të CSIS, kjo është fushata ofensive më e ngadaltë e çdo fuqie të madhe në çdo luftë të shekullit të kaluar. Raporti arrin në konkluzionin se “Rusia është në rënie si fuqi e madhe”, pasi asnjë fuqi tjetër nuk ka pësuar humbje të tilla që nga Lufta e Dytë Botërore për fitime kaq minimale territoriale.
Reagimi i Kremlinit
Siç pritej, Moska ka reaguar menjëherë duke hedhur poshtë vërtetësinë e raportit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se këto të dhëna nuk janë të besueshme dhe se “vetëm Ministria ruse e Mbrojtjes ka autoritetin të publikojë shifra”.
Megjithatë, vlerësimet e CSIS përputhen pothuajse plotësisht me ato të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, i cili gjithashtu e ka vlerësuar shifrën e humbjeve ruse në rreth 1.23 milion.
Me një dimër të ashpër që po detyron evakuimin e civilëve ukrainas dhe me një Rusi që duket e gatshme të sakrifikojë qindra mijëra ushtarë të tjerë, fundi i konfliktit duket ende larg horizontit.
/rtsh.al/