E Hënë, 2 Nëntor 2026

I dënuar për vrasje, lëvizte me armë me vete. Policia vendos në pranga 57-vjeçarin

Një 57-vjeçar, i identifikuar Petrit Mërnica banues në fshatin Sulaj të Fierit dhe i dënuar më herët për vrasje, është kapur sot në flagrancë në një lokal në fshatin Fermë Çlirim. Mërnica mësohet se është babai i Azgan Mërnicës, i cili ekzekutoi në vitin 2024 efektivin e ‘Shqiponjave’, Novruz Cenalia. Azgan Mërnica është dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e 13 majit 2024, në Baltëz të Fierit.

Ndërkohë sot, gjatë kontrollit, policia arrestoi babain e tij, të cilit i gjeti në çantën e dorës një pistoletë arme zjarri bashkë me dy krehëra që përmbanin nga 7 fishekë luftarakë secili.

Operacioni i koduar “Pathway” u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale Fier dhe hetuesit e krimeve të Komisariatit Fier. P. M. u vu menjëherë në pranga, arma u sekuestrua dhe dosja i kaloi Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Lëvizte i armatosur me pistoletë me vete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 57-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me 2 krëhëra me municion luftarak. Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pathway”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, shtetasin P. M., me 1 armë zjarri pistoletë, me 2 krëhëra me nga 7 fishekë, që i mbante në çantën e dorës.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier, i dënuar më parë për vrasje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›