I dha fund jetës pas dyshimeve për dhunë nga partneri, familja e 25-vjeçares hap dyert e mortit në Shëngjin

Familja e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë pas dhunës së pretenduar nga ish-bashkëshorti, ka hapur dyert e mortit.
Ceremonia mortore po zhvillohet në vendlindjen e saj, në Shëngjin.
Të afërmit dhe familjarët, të tronditur nga humbja e të resë, nuk kanë pranuar të flasin për mediat, duke ia lënë gjithçka në dorë drejtësisë, ndërsa 25-vjeçarja do të përcillet për në banesën e fundit nesër, më 12 mars.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon kontrollet për kapjen e ish-bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi.

Eraldo Fizi
Ai është shpallur në kërkim nga policia për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim vetëvrasjeje”.
Çfarë ndodhi?
Burimet thonë se i riu është përballur me refuzimin e 25-vjeçares dhe dyshohet se e dhunuar atë.
Shenjat në trup ishin shumë pak përballë gjendjes së rënduar psikologjike që i shkaktoi ky episod. 25-vjeçarja nisi të shkruajë një letër. Mes rreshtave, burimet thonë se vajza shkruante se nuk donte t’i bënin më keq ata njerëz që i kanë bërë keq. Letrën e mbyll me një ndjesë për nënën dhe babanë e saj.
Nën këtë rëndesë psikologjike, ndoshta me lëngimin e goditjeve nga ish-bashkëshorti, në orët e hershme të mëngjesit të 10 marsit, Xhuana Nikolli, piu fostoksinë.
Hetuesit po punojnë edhe për të zbuluar ku e siguroi e reja këtë lëndë të ndaluar.
Nuk dihet gjithashtu se kush ishte personi i parë që e pa në këtë gjendje, por mëngjesin e 10 marsit, vetëm 1 ditë pasi ish-bashkëshorti i trokiti në derë, 25-vjeçarja mbërriti pa shenja jete në QSUT.
Trupi i saj i pajetë iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, dhe përgjigjja e saj do të nxjerrë shkakun zyrtar të vdekjes dhe gjurmët reale të dhunës.