E Hënë, 2 Nëntor 2026

I gjenden në banesë silenciator zjarri dhe fishekë, shpallet në kërkim 46-vjeçari në Vlorë

Një 46-vjeçar, Alush Kallulli alias Alush Taka, është shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij në lagjen “10 Korriku”, u gjetën dhe sekuestruan: 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe 10 fishekë, një pajisje cilindrike (silenciator) dhe një kuti me 14 fishekë. Arma dhe pajisjet e sekuestruara do të dërgohen për ekzaminime në Institutin e Policisë Shkencore.

Policia vazhdon punën për kapjen e 46-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Mbante të fshehura në banesë, armë zjarri pistoletë me silenciator dhe fishekë, shpallet në kërkim 46-vjeçari.

Në kuadër të veprimeve për goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në inteligjencën policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ushtruan kontroll në një banesë në lagjen “10 Korriku”, ku dyshohej për armëmbajtje pa leje.

Gjatë kontrollit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me krehër me 10 fishekë, një pajisje cilindrike (silenciator) dhe një kuti me 14 fishekë.

Arma e zjarrit dhe pajisjet e sekuestruara do t’i dërgohen Institutit të Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Shtetasi A. K. alias A. T., 46 vjeç, që dyshohet se mbante të fshehur armën, në banesën e tij, u shpall në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›