“I ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë”, GJK reagon pas vrasjes së Astrit Kalasë: Sulm për shtetin e së drejtës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka shprehur tronditjen për ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra me tre plumba brenda sallës së gjyqit. Autor i dyshuar i ngjarjes është 30-vjeçari Elvis Shkambi.
Gjykata Kushtetuese i ka përcjellë ngushëllimet familjes dhe e cilëson aktin e rëndë si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetem per individin, por edhe per vete parimet e drejtesise dhe shtetin e së drejtës.
Deklaratë e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja.
Gjykata përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, duke nderuar kujtimin e një magjistrati që i ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë.
Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetem per individin, por edhe per vete parimet e drejtesise dhe shtetin e së drejtës.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e së drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale te gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi ne këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shteterore.
Në këto momente të dhimbshme, Gjykata Kushtetuese qëndron pranë familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë atyre që po përballen me këtë humbje, duke riafirmuar vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit si shtyllë themelore e rendit kushtetues. Gjykata Kushtetuese uron gjithashtu shërim të shpejtë për dy qytetarët e plagosur.