I ndalohet inspektimi në Burgun 313, Balliu: E paligjshme! Qëllimi ishte verifikimi i kushteve për të burgosurit dhe paraburgosurit

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu është ndaluar të inspektojë kushtet në Burgun e sigurisë së lartë 313, duke e cilësuar veprimin si shkelje të hapur të ligjit dhe pengim të kontrollit institucional.
Sipas Balliut, inspektimi kishte për qëllim verifikimin e trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, përfshirë edhe ish-presidentin Ilir Meta, për të cilin ka pasur shqetësime publike mbi kushtet e trajtimit.
“Sot u ndalova në mënyrë të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës sime për inspektimin e kushteve në Burgun 313. Ky veprim përbën një shkelje të hapur të ligjit dhe një pengim të kontrollit institucional.
Qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi i kushteve të trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Presidentin Ilir Meta, për të cilin janë shprehur publikisht edhe zyrtarë të tjerë se kushtet që nga momenti i arrestimit deri te trajtimi i tij kanë qenë të padrejta. Kjo ishte pjesë e detyrimit ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
Inspektimi i kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit është një detyrim ligjor dhe jo një favor i administratës. Ndalimi im tregon një mungesë të theksuar transparence dhe përpjekje për të fshehur problematika serioze.
Fatkeqësisht, Shqipëria po shndërrohet në një rast unik ku institucionet shtetërore, në vend që të zbatojnë ligjin, e shkelin atë.
Kjo nuk është një çështje personale, por një problem serioz i shtetit të së drejtës. Për këtë arsye, do të ndjek çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar respektimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut për çdo të burgosur”, tha për mediat deputeti demokrat.