E Diel, 1 Nëntor 2026

I vetmi universitet nga Shqipëria! “Luarasi” pjesëmarrës në ICEF Berlin 2026, promovon ofertën akademike shqiptare

Nga Tirana në Berlin. Universiteti “Luarasi” përfaqëson Shqipërinë në Berlin, në një prej platformave më të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe rekrutimit të studentëve. Nga 1 deri më 3 nëntor, ICEF Berlin 2026 mbledh në kryeqytetin gjerman qindra institucione akademike, universitete prestigjioze dhe agjenci ndërkombëtare të edukimit nga e gjithë bota. “Luarasi” është i vetmi universitet nga Shqipëria, që merr pjesë në këtë edicion, duke u përfaqësuar nga Agim Alia dhe Lorena Haxhiu.

Përmasat e këtij aktiviteti dëshmojnë rëndësinë që ka fituar tregu global i arsimit. Në këtë edicion marrin pjesë mbi 870 agjenci ndërkombëtare të rekrutimit të studentëve, më shumë se 800 ofrues të shërbimeve dhe programeve arsimore, me përfaqësues nga mbi 120 shtete.

Në këtë platformë janë të pranishme disa prej emrave më të njohur të arsimit botëror, mes tyre Oxford, Cambridge, Stanford dhe MIT. Harta e përfaqësimit shtrihet nga Europa dhe Britania e Madhe, te Shtetet e Bashkuara, vendet e Gjirit, Koreja e Japonia, fuqitë aziatike, Australia dhe Zelanda e Re.

Për Universitetin “Luarasi”, pjesëmarrja nuk është thjesht një prezantim institucional, por një mundësi konkrete për të promovuar ofertën akademike shqiptare, për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me agjenci rekrutimi dhe për të krijuar partneritete të reja me institucione ndërkombëtare. Një vëmendje e veçantë i kushtohet identifikimit të partnerëve të rinj, zgjerimit të mundësive për rekrutimin e studentëve ndërkombëtarë dhe zhvillimit të bashkëpunimeve akademike.

Një prej elementeve që e shoqëron këtë strategji ndërkombëtarizimi është edhe bashkëpunimi i “Luarasit” me University of London, me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science, një prej institucioneve më të njohura në botë. Ky bashkëpunim përfshin programet bachelor në Financë, Biznes dhe Menaxhim, si dhe Data Science and Business Analytics, duke u mundësuar studentëve t’i ndjekin këto programe në Shqipëri dhe të përfitojnë nga standardet akademike ndërkombëtare.

Përfaqësimi në ICEF Berlin 2026 synon të çojë përtej kufijve emrin e universitetit “Luarasi”, por edhe të prezantojë potencialin e Shqipërisë si një destinacion për arsimin e lartë.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›