IKMT heq 30 struktura pa leje pranë aeroportit “Nënë Tereza”

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) është përfshirë aktivisht për lirimin e hapësirave publike, një nismë kombëtare e qeverisë, që synon çlirimin e zonave të zëna në mënyrë të paligjshme dhe rikthimin e tyre në funksion të qytetarëve.
IKMT njofton se ka nisur më datë 19 shtator aksion intensiv për heqjen e strukturave të paligjshme në zonën përreth Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, një nga pikat më të rëndësishme të hyrje-daljes në territorin shqiptar.
Në këtë zonë ishin ngritur struktura njëkatëshe, të ndërtuara pa leje, të cilat përdoreshin për funksione të ndryshme shërbimi. Përveç shkeljes së ligjit, këto ndërtime cenonin sigurinë aeroportuale, si dhe dëmtonin imazhin urbanistik të një prej portave kryesore të vendit.
Sipas njoftimit të IKMT-së, deri tani janë hequr 30 struktura të paligjshme.
Procesi po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse lokale dhe ato të rendit, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore për njoftim dhe ekzekutim.
IKMT thekson se ky operacion do të vijojë deri në pastrimin e plotë të zonës, me qëllim rikthimin e rendit dhe ligjshmërisë në territor, si dhe përmirësimin estetik dhe funksional të hapësirës përreth aeroportit.
Ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të IKMT për të luftuar ndërtimet pa leje, veçanërisht në zona me rëndësi të veçantë publike dhe strategjike, siç janë korridoret hyrëse të vendit.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, nisma për lirimin e hapësirave publike synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane dhe të rrisë funksionalitetin e bizneseve.
IKMT shprehet se mbetet e angazhuar për zbatimin e ligjit në mënyrë të pandërprerë, duke kontribuar në mbrojtjen e territorit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës urbane .
Nisma e qeverisë parashikon që ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”. /j.p/
1 nga 3