ILD propozon masën “Vërejtje publike” për prokuroren e Korçës

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj A.K. prokurore e Prokurorisë e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
ILD njoftoi sot se hetimi disiplinor nisi ndaj A.K. për shkelje të dispozitave, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave/prokurorisë dhe shkelje të rregullave të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit që rezulton nga hetimi ose gjykimi, në proces ose i përfunduar.
“Nga raporti i hetimit disiplinor rezulton se: gjatë një procesi ankimi/informimi, edhe pse në cilësinë e prokurores së çështjes, A.K. ka nënshkruar si Drejtuese e Seksionit të Posaçëm dhe dërguar informacion për dijeni, shoqëruar me mbi 20 akte pjesë të dosjes, tek disa institucione brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë, veprime që konsiderohen shkelje disiplinore”, njoftoi ILD.
Sipas ILD-së “prokurorja ka nënshkruar shkresa pa patur kompetencë, nxjerrë dhe dërguar të tretëve kopjeje të disa akteve, pjesë të dosjes së një çështjeje në proces hetimi, duke shpërfillur autoritetin e titullarit të prokurorisë, cenuar imazhin e zyrës së prokurorisë, teksa publikimi i akteve procedurale mbart rrezikun e ardhjes së pasojave në dëm të hetimit dhe për rrjedhojë humbjen e besimit të publikut për funksionimin e Prokurorisë sipas ligjit dhe jo dëshirës së magjistratit”.
“Raporti hetimor konkludon se duke mbajtur në konsideratë natyrën e shkeljes disiplinore; ekzistencën e rrethanës lehtësuese, lidhur me shkeljen për herë të parë; përvojën 2 vjeçare në funksionin e prokurores; cenimin e imazhit të prokurorisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates përbëjnë “Shkelje disiplinore e lehtë”, dhe ILD i propozon KLP-së caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj znj. A.K. prokurore e Prokurorisë e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, njoftoi ILD.
/m.q/a.f/