E Diel, 1 Nëntor 2026

INDI – Merz: Udhëheqja e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive

BENGALURU, 13 janar /ATSH-DPA/- Udhëheqja aktuale e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive në të gjithë vendin, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz.

“Nëse një regjim mund të qëndrojë në pushtet vetëm përmes përdorimit të dhunës, atëherë ai në fakt ka mbaruar”, tha sot Merz gjatë një vizite në Bengaluru, Indi.

“Unë supozoj se tani mund të jemi dëshmitarë të ditëve dhe javëve të fundit të këtij regjimi”, shtoi ai.

Merz dënoi veprimet e forcave iraniane të sigurisë kundër protestuesve paqësorë, duke i përshkruar ato si “joproporcionale” dhe “brutale”.

Irani është përfshirë që nga 28 dhjetori nga vala më e madhe e protestave ndër vite.

Ajo që filloi si protesta e bizneseve për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe vështirësive ekonomike në rritje, shpejt u shndërrua në demonstrata mbarëkombëtare kundër sundimtarëve islamikë të vijës së ashpër të vendit.

Aktivistët thonë se forcat e sigurisë janë përgjigjur duke përdorur taktika brutale, duke përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave.

Grupi i të drejtave të njeriut “Iran Human Rights” (IHRNGO) me qendër në Oslo tha se të paktën 648 persona ishin vrarë që nga shpërthimi i protestave. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›