E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Khamenei kërkon masa të ashpra ndaj demonstruesve

TEHERAN, 3 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi Suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei ka reaguar për herë të parë ndaj trazirave që kanë përfshirë vendin gjatë shtatë ditëve të fundit dhe ka bërë thirrje për masa të rrepta kundër “rebelëve”.

“Protestat e tregtarëve për zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe kurset e paqëndrueshme të këmbimit janë të justifikuara, por rebelët duhet të vendosen në vendin e tyre”, tha Khamenei në televizionin shtetëror.

”E papranueshme të shfrytëzoheshin protestat civile për të nxitur trazira politike”, shtoi ai duke pretenduar se pas trazirave qëndronin forcat e brendshme dhe të jashtme të Iranit.

”Këto veprime do të kundërshtoheshin me vendosmëri”, tha ai.

Ajo që filloi në Teheran si një protestë kundër vështirësive ekonomike dhe inflacionit astronomik të dielën e kaluar u zgjerua shpejt në trazira mbarëkombëtare, me demonstruesit që u kthyen kundër udhëheqjes islamike dhe Khameneit në veçanti.

Disa njerëz janë vrarë në përleshje me forcat e sigurisë dhe besohet se shumë protestues janë arrestuar.

Sipas kushtetutës, ajatollahu 86-vjeçar ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet strategjike dhe për këtë arsye konsiderohet si udhëheqësi politik i padiskutueshëm i vendit.

Prandaj, kritikat e demonstruesve drejtohen kryesisht ndaj tij.

Demonstruesit akuzojnë Khamenein se e ka çuar vendin në izolim ndërkombëtar – dhe kështu në krizën më të keqe ekonomike në historinë e tij – përmes politikave të tij pakompromis.

Ata gjithashtu fajësojnë udhëheqësin suprem për ndarjen e burimeve financiare të vendit për milicitë antiizraelite në vend të popullsisë iraniane./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›