IRAN – Pezeshkian: Negociata të drejta dhe të barabarta me SHBA-në

TEHERAN, 3 shkurt /ATSH-DA/ – Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian deklaroi sot se i ka dhënë udhëzim ministrit të Jashtëm të zhvillojë negociata të drejta dhe të barabarta me Shtetet e Bashkuara të Bashkuara.
Në një postim në platformën X, Pezeshkian tha se ka udhëzuar ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi “të ndjekë negociata të drejta dhe të barabarta, të udhëhequra nga parimet e dinjitetit, maturisë dhe interesit” duke shtuar se kjo vlen “me kusht që të ekzistojë një mjedis i përshtatshëm, pa kërcënime dhe pritshmëri të paarsyeshme”.
Presidenti iranian theksoi se bisedimet do të zhvillohen “brenda kornizës së interesave tona kombëtare”.
Zyrtarë iranianë kishin deklaruar më herët se Teherani po përgatitej për negociata me SHBA-në.
Sipas raportimeve të medieve amerikane, takimi mes Araghchit dhe të dërguarit të posaçëm amerikan Steve Witkoff pritet të mbahet të premten në Stamboll.
Uashingtoni dhe Teherani kanë zhvilluar bisedime vitin e kaluar lidhur me programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit, por negociatat u bllokuan për çështje kyçe.
Një kërkesë thelbësore e SHBA-së është ndalimi i plotë i pasurimit të uraniumit nga Irani.
Ndërsa Teherani shprehet i gatshëm të kufizojë programin e tij bërthamor, kërkesa maksimaliste e Uashingtonit konsiderohet vijë e kuqe.
Shumë iranianë janë jashtëzakonisht kritikë ndaj negociatave me SHBA-në pas shtypjes së përgjakshme të protestave në fillim të janarit.
Në kulmin e protestave antiqeveritare në Iran, presidenti amerikan Donald Trump premtoi mbështetjen e tij për protestuesit.
Sipas aktivistëve iranianë të të drejtave të njeriut, mijëra, ndoshta dhjetëra mijëra, persona dyshohet se janë vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave.
Fakti që Trump tani kërkon të negociojë me udhëheqjen iraniane shihet nga shumë iranianë si një tradhti./ /Ad.Ab./ a.jor.